Promovohen katër tituj të ri

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës ALBIZ dje, më 03.07.2018, në Qendrën Informative Kulturore (QIK), organizoi promovimin e katër titujve të ri të publikuar në kuadër të veprimtarisë botuese të Fondacionit.

Këtë vit, nga 16 vepra konkurruese, Komisioni për veprimtarisë botuese, i zgjodhi katër tituj të cilët u promovuan gjatë këtij evenimenti. Librat e mbështetur janë: “Të Drejtat e Njeriut” të autorit Dr. Ali Musliu, “Shkupi me rrethinë gjatë sundimit të Mbretërisë Jugosllave 1929-1941” nga Besnik Rameti, “Fabula popullore shqiptare” prej Edibe Selimi – Osmani dhe “Reflektime Letrare” të Kosovare Krasniqit.

Në emër të Fondacionit Albiz foli z. Ilir Idrizi, drejtor ekzekutiv, i cili tha se Fondacioni që nga fillimi e deri më tash janë mbështetur gjithsej 38 vepra në lëmi të ndryshme. Ai e theksoi rëndësinë e mbështetjes të veprave të autorëve, me të cilat do të pasurohen bibliotekat personale dhe ato publike, dhe të cilat kanë rëndësi të madhe për kulturën dhe shkencën.

Në emër të Komisionit për veprimtari botuese u drejtua prof. Ali Pajaziti, i cili tha se në konkursin e sivjetmë konkurruan 16 vepra dhe komisioni e kishte të vështirë të bëjë përzgjedhjen e këtyre katër titujve, por në bazë të kritereve më të mirët u zgjodhën.

Autori i librit “Të drejtat e njeriut”, Ali Musliu tha se ky libër është ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë është kategoria teorike, pjesa e dytë është fokusuar në dokumentet historike dhe pjesa e tretë është pjesa empirike. Ai gjithashtu tha se ky libër pikësëpari u dedikohet studentëve të fakultetit të drejtësisë, kriminalistikës, shkencave humane, sociale etj. Por edhe të praktikantëve të drejtësisë. Jam munduar që të konceptoj, të ndaj në tri kategori bazë.” Librin e autorit Ali Musliu e promovoi Mersim Maksuti.

Besnik Rameti, autor i “Shkupi me rrethinë gjatë sundimit të mbretërisë Jugosllave 1929-1941”, tha se në punimin e tij, lexuesi do të mund të njoftohet me ngjarjet, sundimin dhe vuajtjet që ka përjetuar populli shqiptarë ndër vite. “Në këtë punim që do ta keni në duar do të lexoni për ngjarjet, kohën, sundimin dhe vuajtjet që ka përjetuar populli shqiptar”, tha mes tjerash Rameti. Për librin foli recensenti prof. Vebi Xhemaili.

Autorja e librit “Fabula popullore shqiptare”, Edibe Selimi Osmani, tha se ky vëllim përmbledh krijime të prozës së shkurtër. “Krijimet e prozës gojore, fabulat janë të bartura ashtu si i kam dëgjuar në ambientet autentike të trevës të Tetovës dhe Gostivarit me rrethinë”, u shpreh autorja Edbie Selimi Osmani. Për veprën foli Izaim Murtezani.

Dhe në fund të këtij evenimenti u promovua libri “Reflektime Letrare” të autores nga Kosova, Kosovare Krasniqi, e falënderoi Fondacionin Albiz dhe anëtarët e komisionit të cilët e zgjodhën librin e saj. Për librin e saj foli recensenti prof. Zeqirja Neziri.